Transmetuar më 03-12-2025, 22:39

TROPOJË- Një tragjedi e dyfishtë ka goditur komunitetin e Nikaj-Mërturit, ku familja Qokaj është përballur me humbjen e dy anëtarëve brenda vetëm një dite.

I pari që u nda nga jeta ishte 88-vjeçari Ndue Martin Qokaj. Lajmin për vdekjen e të atit e dha i biri, Besniku, i cili një ditë më parë kishte kërkuar publikimin e njoftimit mortor. Askush nuk e kishte menduar se brenda 24 orëve, të njëjtët njerëz do të duhej të njoftonin edhe vdekjen e tij, duke e kthyer dhimbjen e familjes Qokaj në një tragjedi të dyfishtë që ka tronditur mbarë komunitetin.

Besnik Qokaj humbi jetën papritur, dyshohet nga një arrest kardiak fatal, duke e zhytur familjen dhe komunitetin në pikëllim të thellë. Brenda pak orësh, dy prej shtyllave të shtëpisë u shuan, duke e lënë të mbuluar me zi derën e familjes Qokaj.

Në rrjetet sociale, administratorët e faqeve lokale kanë publikuar edhe momentin e fundit të komunikimit me Besnik Qokajn, i cili vetëm një ditë më parë u kishte kërkuar ndihmë për të shpërndarë lajmin e ndarjes nga jeta të babait të tij.

"Para një dite, mora një telefonatë nga Besnik Qokaj, i cili me zërin e tij të lodhur nga dhimbja më kërkoi të postoja në “Nikaj Mertur News” njoftimin e vdekjes së babait të tij, Ndue Martin Qokaj, 88 vjeç. Në atë moment, kisha përballë një djalë që po përpiqej të mbante veten, ndërsa po përballonte humbjen e një njeriu të shtrenjtë. Unë e dëgjova, e ngushëllova dhe mendova se kjo ishte dhimbja më e madhe që do t’i trokiste këto ditë në derë.

Por sot… më erdhi një lajm që më tronditi deri në palcë. Njoftimi i vdekjes ishte për vetë Besnikun. Vetëm një ditë pasi më telefonoi për të lajmëruar humbjen e babait, edhe ai vetë kishte ndërruar jetë, nga një arrest kardiak. Një tragjedi e dyfishtë, e pashpjegueshme, e papërballueshme për këtë familje.

Është e vështirë të gjesh fjalë kur realiteti është kaq i rëndë. Të marrësh njoftimin për vdekjen e babait, dhe të nesërmen të marrësh lajmin për vdekjen e djalit që të telefonoi vetë… kjo është një plagë që vështirë dikush më kupton, duke e shtuar dhimbjen në një nivel që vetëm Zoti mund ta caktojë.

Dera e Qokajve sot është e mbuluar me zi. Të humbësh babë e bir, njëri pas tjetrit, është një dramë që rrallë e ka parë historia e fiseve tona në Nikaj-Mertur. Dhimbje që nuk ka fjalë, nuk ka varg, nuk ka ngushëllim që ta përshkruajë.

Besniku ishte njeri i mirë, i qetë dhe i sjellshëm. E kam në mendje telefonatën e tij të fundit, kërkesën e thjeshtë por të rëndë, që ta ndihmoja për t’i dhënë njoftim miqve dhe ilakeve për humbjen e të atit. Nuk e mendoja kurrë se pas një dite, do të më duhej të shkruaja edhe për të.

Zoti i pastë pranë vetes, bashkë me babanë që e deshi shumë. Zoti e forcoftë familjen Qokaj në këtë tragjedi të rëndë. Ngushëllime të sinqerta gjithë të afërmve, miqve dhe komunitetit tonë që sot është i pikëlluar thellë," shkruan Nikaj Mërtur News.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit