Transmetuar më 03-12-2025, 21:32

Durrës, 3 dhjetor 2025

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka nisur një tur takimesh me synimin për të ringritur dhe rinovuar partinë, duke startuar këtë të mërkurë me foltoren e tij në Durrës. Por takimi u parapri nga një situatë e tensionuar brenda strukturave të PD-së, pas një SMS-je paralajmëruese drejtuar anëtarëve demokratë.

Mesazhi, i shpërndarë nga kryetarët e degëve 1 dhe 2, Ard Muka dhe Osman Stafa, i cilësonte njoftimet për takimin e Salianjit si “dezinformim” dhe i ftonte anëtarët të mos merrnin pjesë, duke theksuar se PD është e angazhuar në betejën ndaj aferave qeveritare dhe procesin e brendshëm të analizës. Në SMS thuhej se disa “persona të paautorizuar” po shpërndanin thirrje për takim, ndërsa strukturat zyrtare deklaronin distancimin e tyre.

Pavarësisht paralajmërimit, dhjetëra anëtarë të PD-së morën pjesë në foltoren e Salianjit në Durrës. Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi fort gjendjen e opozitës, duke deklaruar se Partia Demokratike “duhet të udhëheqë ndryshimin që shqiptarët presin”, ndërkohë që pranoi se dështimet e opozitës lidhen jo vetëm me mungesën e zgjedhjeve të lira, por edhe me paaftësinë e vetë PD-së.

Salianji kërkoi hapje të partisë, rinovim dhe një kombinim të brezit të ri me përvojën, duke theksuar se mosdëgjimi i demokratëve është “një gabim i rëndë” që ka penguar rritjen e forcës politike. Ai konfirmoi gjithashtu krijimin e një fraksioni brenda PD-së, duke thelluar diskutimet për drejtimin e ardhshëm të partisë.

Ndërkohë, Partia Demokratike vijon paralelisht turin e foltoreve zyrtare, së bashku me mbledhjet javore të “parlamentit” para kryeministrisë, teksa tensionet e brendshme duket se po rriten mes fraksioneve dhe grupimeve të ndryshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit