

Elbasan, 3 dhjetor 2025
Ka dalë videoja e atentatit ku u vra biznesmeni 43-vjeçar Edmond Mëhalla, ngjarje e ndodhur të dielën në mbrëmje në lagjen “Emin Matraxhiu”. Pamjet tregojnë një person të vetëm që afrohet pranë automjetit të tij dhe më pas largohet me shpejtësi. Autori mban kapuç për të shmangur identifikimin, ndërsa policia thotë se ai është larguar me një automjet të tipit “Audi”, i cili u gjet i djegur një ditë më pas në fshatin Mirakë.
Hetimi ka çuar në arrestimin e tre personave. Në pranga është vënë Xhino Ago, ish-ortak i viktimës, i dyshuar si bashkëpunëtor në organizimin e atentatit. Ai akuzohet për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të armëve”.
Po ashtu, policia ka arrestuar Kujtim Pishën, 52 vjeç, për “moskallëzim krimi”, si dhe Nevzat Spahon, 29 vjeç nga Prrenjasi, i cili dyshohet se ka ndihmuar në sigurimin e automjetit të përdorur para ngjarjes.
Në kërkim janë shpallur edhe dy persona: Marselo Arani, 32 vjeç nga Elbasani, si dhe Armando Kola, 35 vjeç nga Laçi, ndaj të cilëve rëndojnë akuza për veprimtari të paligjshme në bashkëpunim.
Burime nga grupi hetimor thonë se viktima kishte pasur konflikte të mëparshme me disa prej personave të përfshirë, kryesisht për çështje borxhesh. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit dhe për të zbardhur plotësisht motivet e atentatit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






