

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka nisur një tur takimesh që sipas tij synon të ringrejë, fuqizojë dhe ripërtërijë partinë.
Në një komunikim për mediat para nisjes së një mbledhjeje në Durrës, Salianji tha se politikanët e Partisë Demokratike duhet të kthehen te njerëzit dhe bashkëbisedimet me ta për ta arritur këtë.
“Është shumë e rëndësishme që cilido prej politikanëve, por sidomos politikanët e Partisë Demokratike të kthehen tek njerëzit, te kafet, te takimet, te bashkëbisedimet për të bërë të mundur zgjimin e Partisë Demokratike, ringritjen e Partisë Demokratike dhe ripërtëritjen e Partisë Demokratike. Unë do të jem në çdo takim ku më kërkojnë demokratët për t’i dëgjuar, për të bashkëbiseduar dhe për të ndarë mendime si PD bëhet më e fortë dhe bëhet alternativë që e mund Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, tha Salianji.
Sipas tij, në takim është e gjithë struktura e Partisë Demokratike, duke nisur nga dy kryetarët e fundit të zgjedhur të degës, sekretari i saj, nënkryetarët, ish-deputetë dhe lista e më të votuarve të PD-së në Durrës për zgjedhjet e 11 majit.
“Ky format është i tillë që janë njerëz që nuk kanë pasur përfaqësim apo mundësi për të qenë në struktura. Deputetët janë në Këshillin Kombëtar dhe në grupin parlamentar ku e shprehin mendimin e tyre. E kemi menduar dhe është menduar edhe nga organizatorët këtu që të jetë një format i tillë për të folur në mënyrë të hapur, të qartë dhe për të çuar mendimet aty ku duhet”, tha Salianji.
Duke komentuar deklaratat e kryetarit të partisë, Sali Berisha, sot i cili tha se çdo aktivitet jashtë forumeve është privat, Salianji tha se qëllimi i tij është interesi i demokratëve.
“Qëllimi i çdo takimi është ringritja, fuqizimi dhe zgjimi i Partisë Demokratike. I vetmi qëllim që kam unë dhe që e kam treguar është interesi publik, por sidomos interesi opozitar i PD-së”, tha Salianji.
Sakaq, ra në sy salla e mbushur plot me simpatizantë të PD-së, në një kontrast të fortë me foltoret e Sali Berishës.
Por çfarë deklaroi sot Sali Berisha?
Duke komentuar pikërisht foltoret e nisura nga demokrati Salianji, Berisha e cilësoi si një lëvizje personale të tij. Sipas tij, PD-ja ka nisur debatin e hapur.
“Çdo person, që për qëllime personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk ka lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë. Listat në PD nuk ishin më të mirat dhe ky sistem ka ardhur nga Edi Rama më 2021. Çdokush bën zgjedhjen e vet”, u shpreh Berisha.
Ervin Salianji nisi takimet më 29 nëntor së bashku me Ilir Alimehmetin, një nga kandidatët më të votuar të PD-së në listat e hapura.
Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur turin e foltoreve krahas “parlamentit” që zhvillon çdo javë para Kryeministrisë.





Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






