

Kryeministri Edi Rama vijon ta quajë absurd vendimin e GJKKO-së për pezullimin e ministres së tij Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe po hetohet për skandalet me vlerë miliona euro në Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës.
Rama thotë se vendimi për pezullimin e saj “cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik”. Për këtë ai sjell një shembull, ku pretendon se nisja e fluturimeve transoqeanike nga Shqipëria në Kanada është thuajse e kryer, por është bllokuar vetëm për shkak se nuk mund të nënshkruhet nga Balluku, e cila është e pezulluar.
Reagimi i plotë i Ramës:
Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:
Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.
Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






