

Elbasan- Policia ka arrestuar një tjetër person të dyshuar lidhur me vrasjen e biznesmenit në Elbasan, një ngjarje që tronditi qytetin disa ditë më parë.
Sipas reagimit të policisë i arrestuari është 33-vjeçari Nevzat Spaho, i cili u kap në Prrenjas. Spaho ka një të kaluar kriminale dhe dyshohet se ka qenë ekzekutori i përdorur për të kryer vrasjen, duke qëlluar me armë viktimën.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se arrestimi i Spahos është pasojë e një periudhe të gjatë ndjekjeje dhe verifikimesh intensive nga ana e Policisë së Shtetit. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe po punohet për zbardhjen e motiveve të vrasjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë krim.
DVP Elbasan
Vijon operacioni policor i koduar “Strike”, me objektiv identifikimin, kapjen dhe individualizimin e përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit M. M. alias E. H..
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, është identifikuar dhe kapur një bashkëpunëtor i dyshuar në këtë krim.
I arrestuari, me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, ndër to, për tentativë për vrasje.
Sekuestrohen 1 automjet, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Në vijim të veprimeve operacionale të kryera në bazë dhe për llogari të hetimeve intensive që po kryhen për të dokumentuar ligjërisht autorësinë dhe rrethanat e vrasjes së kryer më datë 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:
-N.S., 29 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte precedent penal për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje.
Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u vra me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H..
Hetimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






