

Elbasan, 03.12.2025- Policia ka vënë në pranga dje një tjetër person të dyshuar për përfshirjen në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, ngjarje që tronditi qytetin pak ditë më parë.
Arrestimi është kryer në Prrenjas, ku u kap 33-vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë në vrasjen e shtetasit.
Kush është Nevzat Spaho?
Njoftimi i Policisë dalë më 23 dhjetor 2022
‘DVP Elbasan/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shuma”. Dhunoi fizikisht dhe kanosi me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e 3000 eurove, vihet në pranga 26-vjeçari. Sekuestrohet automjeti që përdorte ky shtetas dhe 2 aparate celulare.
Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Elbasan, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga një hetim i ndjekur intensivisht dhe me metoda speciale proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u ndalua shtetasi Nevzat Spaho, 26 vjeç, banues në Prrenjas, ndaj të cilit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 22.12.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit me metoda proaktive, ka rezultuar se shtetasi N. S. ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3000 eurosh. Në cilësinë e provës materiale, 26-vjeçarit iu sekuestruan automjeti që përdorte dhe 2 aparate celulare. Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.’, njofton Policia e Elbasanit.Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover.
Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd.
Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






