

TIRANË – Prodhimi i ullirit në shumë zona të vendit ka rënë deri në 50% këtë vit, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimit të vajit të ullirit dhe duke vështirësuar ndjeshëm konkurrueshmërinë në tregjet e huaja. Fermerët dhe përpunuesit pohuan se thatësira e verës dhe mungesa e mekanizimit në ullishte kanë qenë faktorët kryesorë të goditjes së prodhimit.
Sipas Agron Çakallit, drejtues i Federatës Bujqësore në Elbasan, aktualisht vaji po grumbullohet me rreth 700 lekë për litër nga fermerët e Elbasanit dhe Gramshit – një rritje prej rreth 11% krahasuar me vitin e kaluar, kur çmimi mesatar varionte nga 620 deri 630 lekë për litër.
Përpunuesit paralajmërojnë se çmimi i lartë i lëndës së parë po e bën të pamundur konkurrencën me vendet kryesore prodhuese. Në Greqi dhe Spanjë, vaji i ullirit shitet nga fermerët nën 5 euro për litër, ndërsa tregu italian ofron çmime edhe më të ulëta. Kjo ka çuar në ndërprerjen e eksporteve shqiptare drejt Greqisë dhe në uljen drastike të interesit nga blerësit italianë.
Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues në zonën e Dumresë, thekson se kërkesat e fermerëve, 600–650 lekë për litër, nuk janë të përballueshme për tregjet e huaja. Grosistët italianë, sipas tij, kërkojnë vaji me çmime rreth 450 lekë për litër, duke e bërë të pamundur çfarëdo marrëveshjeje eksporti.
Ekspertët e sektorit identifikojnë disa shkaqe pse vaji shqiptar nuk konkurron dot me fqinjët: – kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e mekanizimit; – pagat e larta sezonale për punonjësit; – mungesa e subvencioneve për litër, ndryshe nga Greqia ku fermerët marrin 1 euro subvencion për çdo litër vaj; – niveli i lartë i informalitetit në tregun vendas.
Sipas përpunuesve, nëse çmimet vijojnë të mbeten të paktën 30–40% më të larta se tregjet ndërkombëtare, eksportet rrezikojnë të bien drejt zerimit, ndërsa në shtëpitë e fermerëve mund të mbetet stok i konsiderueshëm vaji të pashitur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






