

TIRANË – Rritje rekord e rasteve të referuara për veprën penale “Pastrimi i parave” është shënuar gjatë periudhës janar–gusht 2025, ndërsa sekuestrimet e pasurive kanë pësuar një rënie drastike. Të dhënat e publikuara nga raportet mujore të Ministrisë së Brendshme tregojnë se janë referuar 311 raste në vetëm 8 muaj, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit dhe rreth 14% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së hetimeve, vlera e pasurive të sekuestruara ka rënë ndjeshëm. Nga 53.9 milionë euro të sekuestruara në janar–gusht 2024, shifra ka rënë në vetëm 9.4 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025 – një tkurrje prej rreth 82%.
Statistikat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se muaji qershor 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të referimeve, me 56 raste. Ndërkohë, rekordi historik i sekuestrimeve mbetet qershori 2024, kur u sekuestruan 52.7 milionë euro.
Raporti thekson se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar asete me vlerë 27.6 milionë euro për veprën penale të pastrimit të parave, ndërsa pasuritë e konfiskuara sipas ligjit antimafia kanë arritur në mbi 4 milionë euro, përfshirë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Çfarë përfshin vepra penale “Pastrimi i parave”? Neni 287 i Kodit Penal parashikon disa forma të veprës, përfshirë: – fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë; – transferimin e fondeve për të mbuluar burimin kriminal; – përdorimin e pasurisë duke ditur se është produkt i aktivitetit kriminal; – kryerjen e transaksioneve të fragmentuara për të shmangur raportimin; – investimin e parave të paligjshme në veprimtari ekonomike apo financiare.
Pavarësisht rritjes së hetimeve, ulja drastike e sekuestrimeve ka ndezur debate mbi efektivitetin e mekanizmave të zbatimit të ligjit në luftën kundër pastrimit të parave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






