Transmetuar më 02-12-2025, 16:50

Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, do të ngrejë një komision të pavarur të kryesuar nga një gjykatës, për të kryer një hetim të gjithanshëm mbi zjarrin e fundit, si dhe për të siguruar zbatimin e plotë të ligjit për personat përgjegjës, deklaroi të martën për gazetarët John Lee, kryeekzekutivi i rajonit.

Zjarri që ra të mërkurën e kaluar, shkaktoi 151 viktima dhe 79 të lënduar, tha Lee, duke shtuar se policia ende po ndjek rreth 30 raste të mbetura për individë të zhdukur.

Tre grupe pune të krijuara më parë, po punojnë pa pushim për të identifikuar përgjegjësit, duke hetuar të gjitha palët përkatëse dhe duke mos lënë asnjë person të përfshirë pa u ndëshkuar, vuri në dukje Lee.

Ai theksoi se qeveria e rajonit do të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur të prekurit. Masat përfshijnë aktivizimin e strehimoreve të përkohshme, si dhe sistemimin e banesave kalimtare dhe hoteleve për 2.500 qytetarë.

Kryeekzekutivi tha se flakët kanë nxjerrë në pah dështime në hallka të shumta, duke i bërë të domosdoshme reformat sistematike. Do të ngrihet një komision i pavarur për të hetuar zjarrin, tha Lee, duke shtuar se qeveria e Hong Kongut do të ofrojë të gjitha të dhënat dhe mbështetjet e tjera të nevojshme për hetimin, dhe komisioni do t’i paraqesë atij rekomandime dhe raporte.

Lee pohoi se operacionet e shpëtimit nuk do të ndalen dhe asnjë familje e prekur nuk do të braktiset. Qeveria e rajonit do t’i ndihmojë këto familje në rindërtimin e shtëpive të tyre. Ai shtoi se është thelbësore të miratohet një plan afatgjatë, për t’u rivendosur gradualisht funksionimi normal i shoqërisë.

Zgjedhjet e Këshillit Legjislativ (LegCo) të planifikuara për 7 dhjetor do të vazhdojnë sipas planit, tha ai.

Siç mësohet, deri në orën 13:00 të së hënës, fondi i ndihmës për zjarrin e rënë në kompleksin e banimit Wang Fuk Court, ka marrë 1.3 miliardë dollarë hongkongas, si dhe 300 milionë të tjerë nga qeveria e rajonit, ndaj në total është 1.6 miliard dollarë hongkongas.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit