

TIRANA- Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot se Kolegji i këtij institucioni është mbledhur për shqyrtimin paraprak të kërkesës së paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, vendim i marrë më herët nga GJKKO.
Pas analizimit të parë të çështjes, Kolegji vendosi që kërkesa t’i kalojë Mbledhjes së Gjyqtarëve, e cila do të vlerësojë tani nëse plotësohen kriteret e nevojshme të pranueshmërisë për të kaluar ose jo në seancë plenare.
Rama kërkoi rrëzimin e pezullimit të Belinda Ballukut! Kolegji i Gjykatës Kushtetuese pranon të shqyrtojë ankimin e Qeverisë Nëse Mbledhja e Gjyqtarëve e pranon kërkesën, Gjykata Kushtetuese do të vendosë më pas nëse do të pezullojë vendimin e GJKKO-së për Belinda Ballukun apo do ta lërë atë në fuqi deri në përfundimin e shqyrtimit.
NJOFTIM PËR SHTYP
Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon: Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






