Transmetuar më 02-12-2025, 12:51

Biznesmeni Mondi Mëhalla (Edmond Hyka) u ekzekutua të dielën nga një atentat mafioz.

Mësohet se shkak i organizimit të ekzekutimit të biznesmenit, janë bërë mosmarrëveshjet për ndarjen e normës së fitimit në biznes.

Gjithashtu theksohet se mes palëve ka pasur edhe incidente si pasojë e kësaj çështje.

Policia lidhur me këtë ngjarje ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes.

Policia e Elbasanit njoftoi se në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, u arrestuan shtetasit Xhino Ago dhe Kujtim Pisha (roja i karburantit në pronësi të Mëhallës), si dhe u shpallën në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola.

Biznesmeni zotëronte disa aktivitete; Club-in “Hollywood Lounge bar”; pikën e karburantit “Xhaxhi Oil”, si edhe kompaninë e taksive dhe transportit “El-Taxi”.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.

Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.

Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit