

2 dhjetor 2025
Një takim pesëorësh i zhvilluar të dielën në mbrëmje mes delegacionit amerikan dhe atij ukrainas ka shënuar një tjetër hap në përpjekjet për të gjetur një formulë paqeje në Ukrainë. Por, siç pranojnë edhe vetë negociatorët, rezultati i çdo marrëveshjeje mbetet i varur nga një faktor i pandryshueshëm: vullneti i Vladimir Putinit.
Bisedimet, të cilat u mbajtën në Florida nën ndërmjetësimin e biznesmenit amerikan Steve Witkoff, u krahasuan nga delegacioni ukrainas me “një supë që gatuhet ngadalë dhe kërkon përbërës të matur me kujdes”. Dhe ndërsa SHBA po përpiqet të formulojë një kompromis të pranueshëm, lista e çështjeve të vështira mbetet e gjatë.
**Territoret dhe çështja e NATO-s**
Presidenti Volodymyr Zelensky e quan këtë “thelbin e debatit”. Sipas propozimeve të hedhura mbi tryezë, Ukraina duhet të pranojë statusin aktual të Krimesë dhe të heqë dorë nga pjesë të Donbasit, një ofertë që në Kiev shihet si e papranueshme dhe e rrezikshme për precedentët që krijon në Evropë.
Një tjetër pikë e nxehtë është e ardhmja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ndonëse nuk kërkohet heqja formale dorë nga aspiratat euroatlantike, një marrëveshje dypalëshe mes SHBA-së dhe Rusisë mund të vendoste kufizime të reja, pa e përfshirë drejtpërdrejt Kievin në vendimmarrje. Por për këtë duhen edhe votat e vendeve të tjera të aleancës—dhe Polonia me vendet baltike nuk duket se do ta miratonin kurrë.
**Forcat e armatosura dhe zgjedhjet**
Një tjetër kërkesë është kufizimi i madhësisë së ushtrisë ukrainase në 600 mijë trupa, një shifër që Kievi e konsideron të pamjaftueshme për një vend që jeton nën kërcënim të vazhdueshëm. Ukraina kërkon të paktën 800 mijë ushtarë dhe ngre pyetjen: kush garanton që Rusia nuk do të grumbullojë forca të reja përgjatë kufirit?
Edhe çështja e zgjedhjeve është problematike. Organizimi i tyre brenda 100 ditësh, siç propozohet, shihet si i pamundur nga Zelensky për shkak të mobilizimit ushtarak, mungesës së kushteve logjistike dhe rrezikut të ndikimit rus në një proces të nxituar.
**Financat, sanksionet dhe çështjet ligjore**
Presidenti Trump po propozon rikthimin e Rusisë në formatin G8 dhe heqjen e sanksioneve, duke kërkuar bashkëpunim të ri me Moskën në energji, metalet e rralla dhe Arktik. Në tryezë janë edhe mbi 100 miliardë euro asete të ngrira ruse, të cilat do të duhej të shërbenin për rindërtimin e Ukrainës.
Por në Kiev ekziston frika se një marrëveshje territoriale mund ta shndërrojë procesin në paradoks: Rusia do të duhet të rindërtojë territore që vetë i ka shkatërruar, duke marrë mbrapsht një pjesë të fondeve të konfiskuara.
Po ashtu, propozimi për amnisti për krimet e luftës ngre pikëpyetje të mëdha, duke qenë se as Moska dhe as Uashingtoni nuk janë palë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
**“Duhet të sigurohemi që Rusia të mos shpërblehet”**
Ky është mesazhi i fortë i Zelenskyt, i cili paralajmëron se çdo kompromis që lehtëson pozitat e Moskës rrezikon të hapë rrugën për agresione të tjera.
Ndërsa bisedimet pritet të vazhdojnë, mbetet e paqartë nëse mund të arrihet një marrëveshje që t’i japë fund luftës, pa cenuar sovranitetin ukrainas dhe pa e lejuar Kremlinin të dalë i favorizuar.
Paqja mbetet e mundur vetëm nëse të gjitha palët pranojnë një zgjidhje që garanton sigurinë, integritetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






