

TIRANË, 2 dhjetor 2025 – Pas pandemisë së Covid-19, sektori i shëndetësisë në Shqipëri është përballur me një rritje të fortë të kërkesës për financim, e cila tejkalon dukshëm fondet që ndan buxheti i shtetit. Një analizë e përgatitur për deputetët e Kuvendit nxjerr në pah se shëndetësia ka nevoja shumë më të mëdha se parashikimet vjetore, duke zbuluar mangësi në programim dhe boshllëqe në shpërndarjen efektive të fondeve.
Sipas të dhënave të analizës, shpenzimet faktike të Ministrisë së Shëndetësisë kanë tejkaluar planifikimet pothuajse çdo vit. Në vitin 2021, shpenzimet arritën në 78.361 miliardë lekë, 10.37% më shumë sesa parashikimi fillestar. Në 2022, tejkalimi ishte mbi 3%, ndërsa në 2024 sërish u shënua rritje mbi buxhetin e miratuar me rreth 4.24%.
Ekspertët shpjegojnë se vitet 2021–2022 mbartën ende efektet e pandemisë, me kosto të larta për pajisje, ilaçe dhe trajtime. Por, edhe pas përfundimit të emergjencës shëndetësore, kërkesat e sektorit vazhdojnë të rriten për shkak të plakjes së popullsisë dhe shtimit të barrës së sëmundjeve kronike.
Në spitalet publike, parashikimet buxhetore i bëjnë shefat e pavioneve – profesionistë të mjekësisë, jo të ekonomisë. Ky model, sipas analizës, prodhon shpesh llogaritje të pasakta, sidomos në shërbimet që përballen me flukse më të larta se të dhënat historike. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, fluksi është rritur me ritme të shpejta, ndërsa fondet nuk kanë ndjekur të njëjtën dinamikë.
Pavarësisht rritjes së kërkesave, buxheti për shëndetësinë ka pësuar rënie relative. Nga viti 2021 deri në vitin 2026, fondet e dedikuara për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale kanë rënë nga 11.3% në 9.3% të buxhetit të shtetit. Edhe pse në vlerë absolute ka rritje, pesha e sektorit është tkurrur ndjeshëm.
Shifra edhe më shqetësuese vijnë nga krahasimi me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Shpenzimet e Ministrisë së Shëndetësisë kanë rënë nga 4.22% e PBB-së në 2021 në vetëm 2.97% të PBB-së në 2026 – nivel shumë më i ulët se vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian, ku financimi luhatet nga 4% deri në 9% të PBB-së.
Analiza e Kuvendit paralajmëron se, nëse nuk ndryshon mënyra e planifikimit buxhetor dhe nëse nuk rritet pesha e shëndetësisë në politikat publike, sektori rrezikon të përballet me mungesa të reja strukturale, ulje të cilësisë së shërbimeve dhe rritje të pabarazisë në aksesim, në një kohë kur kërkesat e qytetarëve janë në kulmin më të lartë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






