Transmetuar më 02-12-2025, 07:36

TIRANË, 2 dhjetor 2025 – Emigracioni dhe plakja e popullsisë po kthehen në sfidat më të mprehta sociale dhe ekonomike për Shqipërinë, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se edhe rikthimi në vend nuk po ofron stabilitetin e shpresuar për shumë individë.

Një anketë e Bankës Qendrore të Austrisë, e zhvilluar në fund të vitit 2024, zbulon se rreth 50 për qind e personave që janë rikthyer në Shqipëri shprehin dëshirën për t’u larguar përsëri. Nga pjesëmarrësit në studim, 30 për qind ishin emigrantë të mëparshëm, ndërsa gjysma e tyre deklaruan se po përjetojnë zhgënjim të thellë nga realiteti që kanë gjetur pas kthimit.

Shqipëria prej dekadash përballet me ritme të larta emigracioni, por fenomeni i riemigrimit po thellohet. Të rikthyerit përballen me të njëjtat barriera ekonomike dhe institucionale që i shtynë të largoheshin në fillim: paga të ulëta, rritje të kostos së jetesës, mungesë sigurie në tregun e punës dhe një ekonomi që shpesh nuk vlerëson aftësitë e fituara jashtë vendit.

Shumë prej tyre ndeshen me një hendek të madh mes pritshmërive dhe realitetit. Ndërsa remitancat vijojnë të mbajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, politikat për ri-integrimin e emigrantëve konsiderohen të pasuksesshme dhe të paqëndrueshme.

Sipas INSTAT dhe organizatave ndërkombëtare, mbi 40 për qind e popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit – një nga përqindjet më të larta në botë. Ekspertët theksojnë se riemigrimi i të rikthyerve shpesh ka efekt zinxhir, pasi shumë prej tyre largohen bashkë me anëtarë të familjes, duke thelluar bilancin negativ demografik.

Në rajon ekzistojnë shembuj pozitivë të menaxhimit të fenomenit. Bullgaria, për shembull, ka arritur të tërheqë studentë të huaj në programet e mjekësisë në anglisht, duke krijuar një bazë të re profesionistësh që zgjedhin të qëndrojnë në vend. Por në Shqipëri, sistemi arsimor mbetet i shkëputur nga tregu i punës dhe, në vend që të jetë motor zhvillimi, shpesh kthehet në arsye të largimit.

Ekspertët paralajmërojnë se pa një strategji të qartë për nxitjen e punësimit cilësor, forcimin e institucioneve dhe krijimin e një klime të qëndrueshme ekonomike, vendi rrezikon që emigracioni – dhe riemigracioni – të vazhdojë të dëmtojë strukturën demografike dhe të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit