Transmetuar më 01-12-2025, 22:53

KROACI, 1 dhjetor 2025 – Bregdeti i Dubrovnikut është përballur sërish me një situatë alarmante, pasi rrymat e forta të detit Adriatik kanë nxjerrë në brigje një sasi të madhe mbeturinash që, sipas autoriteteve kroate, vijnë kryesisht nga Shqipëria. Pas raportimit të New York Times, edhe mediat greke i janë rikthyer problemit, duke e shndërruar atë në një çështje rajonale.

Sipas Protothema.gr, dy prej zonave më të vizituara turistike—Plazhi i Banjës dhe Qyteti i Vjetër i Dubrovnikut—u përmbytën javën e kaluar nga mbeturina të sjella nga deti. Pastrimi i vijës bregdetare zgjati 2–3 ditë, teksa punonjësit mblodhën sasi të mëdha plastike, metalesh dhe deri mbetjesh mjekësore.

Autoritetet kroate konfirmojnë se, bazuar në etiketat dhe materialet e gjetura, pjesa më e madhe e mbeturinave janë shqiptare. Duke qenë se Adriatiku është një det praktikisht i mbyllur, rrymat e tij të parashikueshme shpesh transportojnë mbeturina nga brigjet e jugut drejt bregdetit kroat.

Problemi nuk është i ri. New York Times raporton se prej vitesh, erërat jugore sjellin ton mbeturinash në Dubrovnik, aq sa banorët lokalë thonë se nuk habiten më. Plastika mbetet shqetësimi kryesor për qytetin me vetëm 42 mijë banorë, por me 4.5 milionë qëndrime turistike me netë në vit. Në vitin 2020, Dubrovniku madje nënshkroi një angazhim për reduktimin e mbeturinave plastike, por rrymat e detit e bëjnë sfidën të vazhdueshme.

Ndërkohë, autoritetet kroate po e trajtojnë çështjen në nivel diplomatik. Zyrtarët thonë se Kroacia është në komunikim të vazhdueshëm me Shqipërinë “sepse dimë nga vijnë mbeturinat”, ndërsa Ministria e Jashtme kroate madje ka ofruar ndihmë financiare për të mbështetur menaxhimin e mbeturinave në Shqipëri.

“Ne shohim vetëm ato që pluskojnë. Problemi edhe më i madh është ajo që fundoset dhe mbetet në fund,” paralajmërojnë autoritetet kroate, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme për një krizë mjedisore që prek të gjithë Adriatikun.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit