Transmetuar më 01-12-2025, 19:35

TIRANË, 1 DHJETOR 2025 – Gjatë foltores së tretë të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha mbajti një fjalim të zgjeruar para mbështetësve, ku akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për korrupsion, keqmenaxhim ekonomik dhe kapje të institucioneve.

Ashtu si në protestën e zhvilluar më herët përpara banesës së tij, Berisha deklaroi se hapësirën para godinës së Kryeministrisë e pagëzon simbolikisht “Sheshi i Lirisë”, duke e lidhur me, sipas tij, qëllimin e lëvizjes që po drejton.

“Sot jemi këtu për një mision,” u shpreh Berisha, duke pretenduar se vendi ndodhet nën administrimin e asaj që ai e cilësoi “bandë e zhytur në vjedhje dhe abuzime”. Ai akuzoi kryeministrin Rama për përgjegjësi në humbjen e kapitalit njerëzor dhe ekonomisë, duke e cilësuar situatën “një kthim mbrapa me dekada”.

Gjatë fjalimit, Berisha iu referua edhe debatit politik të ditëve të fundit lidhur me një çështje hetimore që përfshin zëvendëskryeministren, duke deklaruar se dokumentet e publikuara, sipas tij, tregojnë “praktika të rënda korrupsioni”. Ai akuzoi kryeministrin për mosveprim dhe përpjekje për të bllokuar procesin e drejtësisë, ndërsa theksoi se në çdo vend demokratik një situatë e tillë do të sillte dorëheqjen e menjëhershme të kreut të qeverisë.

“Ne dalim nga kjo foltore vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët, vetëm kur të shpëtojmë Shqipërinë,” tha Berisha, duke i bërë thirrje mbështetësve për vazhdimin e presionit politik ndaj qeverisë.

Fjala e kreut të Partisë Demokratike vjen në një periudhë tensionesh të larta politike, me opozitën që akuzon për mungesë transparence, ndërsa mazhoranca i ka cilësuar deklaratat e Berishës si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit