

Elbasan, 1 dhjetor 2025 – Dhjetë persona janë shoqëruar nga policia dhe po merren në pyetje në lidhje me vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mahalla. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po analizon pamjet filmike të zonës dhe po mbledh prova të tjera të rëndësishme për hetimin.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti i përdorur nga autorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, që është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.

Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës, më 30 nëntor, Edmond Hyka u gjet i pajetë brenda automjetit të tij tip Range Rover në lagjen “Emin Matraxhiu”. 43-vjeçari ishte larguar pak minuta më parë nga zyra e tij, pranë së cilës ndodhen disa prej bizneseve familjare.
Dyshohet se ai është qëlluar sapo është futur në automjet, ndërsa policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe ngriti postblloqe në të gjitha daljet e qytetit. Kontrollet u shtrinë edhe në zona të tjera për identifikimin e automjetit të dyshuar dhe të personave të përfshirë.
Autoritetet besojnë se autorët janë larguar me një mjet Audi të zi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd. Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






