Transmetuar më 01-12-2025, 09:28

Korçë, 1 dhjetor 2025 – Pas vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mahalla, autoritetet kanë rritur dukshëm masat e sigurisë në zonën juglindore të vendit. Më shumë se katër postblloqe janë ngritur në Korçë, Pogradec dhe Devoll, ndërsa kontrollet janë intensifikuar në akse kryesore ku dyshohet se mund të jenë larguar autorët.

Sipas burimeve, policia ka marrë direktiva për të kontrolluar veçanërisht automjetet Audi me ngjyrë të zezë, pasi dyshohet se një mjet i tillë është përdorur në largimin nga vendngjarja në drejtim të Librazhdit. Zona juglindore konsiderohet një prej korridoreve të mundshme nëse autorët tentojnë të lëvizin drejt kufirit me Greqinë. Kontrollet po kryhen gjithashtu për persona që mund të mbajnë armë pa leje apo mjete të ndaluara.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së dielës, më 30 nëntor, Edmond Hyka u gjet i pajetë brenda automjetit të tij tip Range Rover në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit. 43-vjeçari kishte dalë nga zyra pak momente para ngjarjes, në një zonë ku ndodhen bizneset e tij dhe shtëpia e nënës.

Sipas të dhënave të para, ai është qëlluar sapo është futur në automjet. Policia mbërriti menjëherë në vend dhe ngriti postblloqe në të gjitha daljet e Elbasanit, duke ushtruar kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Dyshohet se ekzekutorët janë larguar me një automjet Audi të zi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të dokumentuar çdo element të saj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit