Transmetuar më 01-12-2025, 07:28

TIRANË, 1 DHJETOR 2025 – Një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë sjell një tablo të përzier për gjendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve shqiptarë: dieta e tyre duket më e mirë se e bashkëmoshatarëve europianë, por mënyra e jetesës mbetet shqetësuese për shkak të mungesës së lëvizjes.

Të dhënat tregojnë se fëmijët shqiptarë konsumojnë më rregullisht fruta dhe perime, duke u renditur mbi mesataren europiane. Për më tepër, Shqipëria është ndër vendet me nivelet më të ulëta të mbipeshës dhe obezitetit tek moshat 6–9 vjeç. Me rreth 20% të fëmijëve të kësaj grupmoshe që kanë probleme peshe, vendi qëndron më mirë se shumica e Europës ku raporti i OBSH-së i afrohet 40%.

Por, pavarësisht ushqyerjes relativisht të mirë, sfida më e madhe mbetet aktiviteti fizik. Rreth tre nga katër fëmijë rezultojnë joaktivë, duke kaluar pjesën më të madhe të ditës ulur ose pa lëvizje të mjaftueshme — një tregues që i afron me mesataren europiane, por shumë larg vendeve që promovojnë aktivitetin e rregullt fizik.

Raporti vë në dukje edhe dy elementë ku Shqipëria dallon pozitivisht: përdorimi i cigareve tradicionale dhe elektronike mbetet shumë i ulët tek të rinjtë, gjithashtu edhe konsumi i alkoolit. Të dy këta tregues vendosin vendin mes më të sigurtëve në kontinent sa i përket sjelljeve të rrezikshme për moshat e reja.

Megjithatë, konsumimi i pijeve të gazuara dhe atyre me sheqer mbetet më i lartë krahasuar me vendet më të zhvilluara, duke u bërë një shqetësim që lidhet drejtpërdrejt me stilin sedentary.

Raporti shton se financimi publik për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri mbetet i ulët: vetëm 9.2% e shpenzimeve totale publike shkojnë në shëndetësi, krahasuar me rreth 15% në Bashkimin Europian — një diferencë që mund të ndikojë në sfidat e dekadës së ardhshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit