Transmetuar më 30-11-2025, 22:07

Ngjarje e rëndë mbrëmjen e sotme në Elbasan, humb jetën një biznesmen. Policia del me deklaratë, por atentati mbetet pa autorë të identifikuar 

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit. Biznesmeni Edmond Mëhalla ka humbur jetën pas një incidenti të ndodhur në zonën e Unazës së qytetit, raportojnë burime për noa.al.

Sipas të dhënave paraprake, 43-vjeçari është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij të parkuar, pranë një pike karburanti në pronësi të tij. Dyshohet se ai është qëlluar disa herë me armë zjarri, duke ndërruar jetë në vend.

Mëhalla ishte i njohur si sipërmarrës në qytet. Ai zotëronte një biznes taksish me makina elektrike, si edhe pikën e karburantit “Xhaxhi Oil”. Burime bëjnë me dije se ai kishte disa vite që kishte ndryshuar mbiemrin, nga Xhaxho në Mëhalla.

Çfarë thotë Policia

Policia e Elbasanit ka dhënë një informacion paraprak lidhur me ngjarjen:

Ajo tha se rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda një automjeti të parkuar, është gjetur pa shenja jete, dyshohet si pasojë e plagëve nga armë zjarri, shtetasi M. M., alias E. H., 43 vjeç.

Pak pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit dhe po kryhen kontrolle të shumta në zonë dhe ambiente të ndryshme për identifikimin e personave të përfshirë.

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në pamjet video të publikuara nga noa.al shihen momente pak minuta pas ndodhjes së ngjarjes. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit