Transmetuar më 29-11-2025, 22:56

Tiranë, 29 nëntor 2025

Prej disa muajsh, kursi i këmbimit të euros ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, duke u luhatur rreth nivelit të 96 lekëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, 1 euro po këmbehet aktualisht me 96.70 lekë.

Në fillim të vitit 2025, euroja këmbehej me 98–99 lekë, por shenjat e para të rënies u shfaqën në maj dhe u thelluan në qershor. Gjatë korrikut dhe gushtit, kursi u stabilizua pranë 97 lekëve, ndërsa nga shtatori e deri më tani, monedha evropiane po qëndron pranë 96 lekëve. Rënia më e madhe u regjistrua më 21 tetor, kur euroja zbriti në 96.60 lekë.

Forcimi i lekut shpjegohet nga prurjet e mëdha të valutës në vend, përmes të ardhurave nga emigrantët, turizmi, investimet e huaja direkte dhe paraja informale. Kjo ka bërë që importet të bëhen më të lira, por ka ndikuar negativisht në sektorin eksportues. Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e mallrave gjatë dhjetëmujorit arritën në 291 miliardë lekë, duke u ulur me 7%, ndërsa importet shënuan gjithashtu rënie. Deficiti tregtar u rrit me 3.8%, duke arritur 445 miliardë lekë.

Kursi i lirë i këmbimit nënkupton se Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn përveç rasteve të jashtëzakonshme. Megjithatë, banka ka ndërhyrë në mënyrë të rezervuar për të blerë valutë dhe për të stabilizuar kursin e euros.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit