Transmetuar më 29-11-2025, 21:26

TIRANË, 29 nëntor 2025

Shqipëria po vendos për herë të parë një kuadër të qartë ligjor për tregun e kripto-aseteve, përmes një projektligji të ri që synon transparencë, siguri dhe mbrojtje më të madhe për përdoruesit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit bën të ditur se subjektet që emetojnë ose ofrojnë shërbime me kriptomonedha do të duhet të licencohen dhe të paraqesin dokumentacion të detajuar mbi projektet e tyre.

Sipas draftit, dokumentet informuese duhet të shpjegojnë qartë rreziqet, mënyrën e funksionimit dhe të dhënat kryesore të emetuesit, ndërsa ndalohet publikimi i çdo materiali mashtrues. Për herë të parë, vendosen rregulla të detyrueshme për licencimin e këmbimit të kriptomonedhave, shërbimet e kujdestarisë dhe platformat e tregtimit.

Projektligji parashikon detyrime të reja edhe për subjektet që ruajnë çelësat privatë dhe menaxhojnë portofolë kripto-asetesh, të cilat do të duhet të zbatojnë standarde më të larta sigurie, plane rikuperimi dhe ndarje të fondeve të klientëve nga asetet e kompanisë.

Risi e rëndësishme për tregun është rregullimi i tokenave të parasë elektronike, të cilët duhet të mbështeten në rezerva reale dhe të jenë të shlyeshëm në çdo kohë.

“Kompanitë duhet të ndajnë fondet e klientëve nga asetet e tyre, të kenë politika të qarta të sigurisë kibernetike dhe plane rikuperimi”, thekson ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Me këtë kuadër të ri ligjor, autoritetet synojnë të rrisin besimin e konsumatorëve dhe të krijojnë kushte të sigurta për zhvillimin e bizneseve teknologjike, në linjë me standardet e Bashkimit Evropian.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit