

Tiranë- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ushtron “presion të hapur” mbi Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vendim në kundërshtim me ligjin dhe standardet europiane, lidhur me çështjen e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Në një takim me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale, Berishau shpreh se deklaratat e Ramës, sipas të cilit pezullimi i një zv.kryeministri është praktikë e paprecedentë në Europë, janë të pavërteta.
Ai tha se ka paraqitur publikisht “dhjetëra raste” kur ministra dhe zv/ministra në vende europiane janë pezulluar nga gjykatat ndërkohë që janë hetuar apo akuzuar, pa pasur nevojë për dënim të formës së prerë.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po ndërhyn për të mbrojtur veten, duke pretenduar se në dosjen e hetimit për tunelin e Llogarasë ndodhen mesazhe të shumta që e lidhin atë me personat nën hetim.
PJESË NGA DEKLARATA:
Edi Rama po bën gjithçka, çdo presion që Gjykata Kushtetuese të vendosë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në kundërshtim me normat dhe standardin europian, kjo është e vërteta. Ai ju tha shqiptarëve në prani të Marta Kos, se pezullimi i një zv/kryeministri është një akt i pashembullt në Europë. Ndërkohë kam paraqitur para dy ditësh, para shqiptarësh jo 1 por dhjetë raste ministrash, zv/kryeministra të cilët janë pezulluar nga gjykatat e vendit si persona në hetim ose të akuzuar po jo të dënuar.
Dhe standardi i pezullimit duhet të jemi të vërtetë. Standardi i pezullimit është një standard që përdoret kur ministri, zv/kryeministri apo cilido qofte kryeministri i vet kanë pafytyrësinë apo paturpësinë të japin dorëheqjen. Këto nuk ndodhin në vendet me kod moralo-etik të qeverisjes së konsoliduar. Ka një kod, një person i akuzuar apo nën hetim. Unë do të ua rikujtoj prap ju dhe shqiptarëve.
Ilir Meta në vitin 2011 dha dorëheqjen si zv/kryeministër dhe hoqi dorë nga imuniteti i deputetit me motivin se unë nuk mund të paraqitem si zv/kryeministër para një prokurori, por do të shkoj si qytetar i thjeshtë në mënyrë që ai të mos ketë asnjë pengesë në hetimin tim.
Kurse sot kjo që ndodh, ndodh sepse Edi Rama është urdhër-dhënësi absolutisht i tenderit të tunelit të Llogarasë. Për Edi Ramën ka sot në dosje, me dhjetëra e dhjetëra mesazhe të shkëmbyer si me Lubinë dhe Berberin. Prandaj ndodh kjo që ndodh në Shqipëri. Ne betejën do e vazhdojmë. Edi Rama do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur. Po mbron veten e tij të kuptohemi, mbron veten e tij. Lubia i ka thënë atij; që unë nuk të lëshoj, do të marr me vete, për arsye se nuk kam bërë gjë tjetër veç se kam zbatuar porositë e tij. Në fakt të themi atë që është, se unë e kam thënë dhe ju garantoj se nuk ka një hajdut më të madh të kombit përveç Edi Ramës. Por në atë rast është e qartë si kristali se në Ankara, nuk e mori Lubia Ramën, por Rama mori Lubinë në Ankara ku u bë pazari i tunelit të Llogarasë, ku u takua kompania që fitoi tenderin me 50 mln më shumë se kompania e dytë e cila do të ndërtonte tunelin.
Pra jemi në këto kushte. A do ta fitojë Rama? Edhe mundet sepse këtu gjykatat këtu kanë faktuar që kanë marrë çdo lloj vendimi, por një gjykatë që vendos kundër vendimit të pezullimit, shkelmon me dy këmbët kodet dhe ligjet e vendit. Nuk ka të bëjë pezullimi me asnjë të drejtë themelore të njeriut. Jo. Me të drejtat themelore të njeriut ka të bëjë bllokimi i pasaportës dhe detyrimi i paraqitjes në polici të deputetit. Por kësaj çështje fatmirësisht në rastin e Sali Berishës i tha okej, është në rregull, nuk ka nevojë për leje në parlament dhe unë, po të kisha qenë aty do kisha votuar bashkë me të se, nuk ka nevojë. Por kushtetuta e njeh këtë, kushtetuta thotë që ka nevojë, e shkeli gjykata. Është punë e saj. Ndërsa për pezullimin nuk ka absolutisht asnjë pengesë ligjore./
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






