

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një fotoalbum nga ceremonia e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Presidencë, me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama e përshkroi këtë ngjarje si: “Mbrëmja Tradicionale Kuqezi e Ditës së Pavarësisë, organizuar sonte bukur si asnjëherë nën kujdesin e Presidentit të Republikës, me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës.”
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Bajram Begaj theksoi nevojën për një kulturë të re politike, që vendos interesin kombëtar mbi atë partiak: “Ne kemi nevojë për një kulturë politike të re, që e vendos interesin kombëtar dhe të qytetarit mbi interesin partiak. Vetëm të përbashkuar në një qëllim të madh kombëtar mund të shmangim ndasitë që vonojnë rrugëtimin tonë të përbashkët.”
Begaj vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e çdo institucioni dhe qytetari në procesin e reformave dhe integrimit europian, duke theksuar se kontributi i secilit është i pazëvendësueshëm.
Në ceremoninë festive u rikujtua edhe amaneti i etërve të Pavarësisë: “113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë. Detyra jonë sot është ta çojmë këtë amanet në një nivel tjetër, ta bëjmë Shqipërinë të drejtë, të sigurt, moderne dhe europiane.”
Ngjarja vijoi me dolli dhe shfaqje muzikore e artistike me motive patriotike, duke krijuar një atmosferë solemne dhe festive për të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






