Transmetuar më 28-11-2025, 20:45

Itali, 28 nëntor 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Reggio Emilia, ku një 18-vjeçar me origjinë shqiptare, Francesco Ajdini, humbi jetën pas një aksidenti rrugor në zonën e Sorbolo di Parma. Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, rreth orës 16:00, në Via Marconi, pranë stacionit të trenit përgjatë Rrugës Provinciale 62.

Sipas raportimeve të para, i riu po udhëtonte me motorin e tij “Scooter” kur u përplas me një automjet që po kryente një kthesë majtas. Përplasja ishte e fortë dhe i riu përfundoi në asfalt, ndonëse mbante helmetë. Ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën menjëherë dhe ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa në vendngjarje u dërgua edhe helikopteri i emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e marra rezultuan fatale.

Hetimet për aksidentin po drejtohen nga karabinierët e Parmës dhe stacionit të Sorbolos, me mbështetjen e policisë lokale dhe zjarrfikësve.

Francesco Ajdini jetonte prej vitesh me familjen e tij në Praticello di Gattatico. Kryebashkiaku Daniele Finucci, i cili i njihte personalisht prindërit e tij, shprehu ngushëllime të thella, duke e përshkruar familjen Ajdini si një familje punëtore, të ndershme dhe shumë të respektuar në komunitet.

Në rrjetet sociale, miqtë e familjes dhe bashkëmoshatarët e të riut kanë shprehur trishtim dhe solidaritet, duke kujtuar Francescon si një djalë të qeshur, energjik dhe të dashur. Në profilin e babait të tij, Flamur Ajdini, ndodhen fotot e festës së 18-vjetorit të djalit, vetëm pak muaj më parë.

Pronari i kompanisë ku punon i ati, Luca Accorsi, u shpreh po ashtu i prekur: “Flamuri është një njeri shumë i mirë. Kjo humbje është e rëndë për të gjithë ne.”

Kjo tragjedi rikthen një plagë të vjetër për familjen Ajdini, pasi në vitin 2004 ata humbën edhe vajzën e tyre 2-vjeçare, Sara, gjithashtu në një aksident rrugor. Ngjarja e djeshme ka tronditur thellë komunitetin e zonës, i cili sot qëndron pranë familjes së goditur nga dhimbja.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit