Transmetuar më 28-11-2025, 15:09

28 Nëntor 2025 – Detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK zbulojnë skemën e dyshuar të rrjedhjes së informacionit sekret nga oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili akuzohet se ka shitur informacione hetimore tek anëtarë të një grupi kriminal që merrej me trafik droge nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe vendeve fqinje. GJKKO ka vendosur masën “arrest me burg” për Haxhiaj.

Mesazhet Sky ECC: 15 mijë euro për informacione të hetimit

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, Haxhiaj ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC me shtetasin Dario Myftiu, ndaj të cilit po zhvilloheshin hetime të thelluara për trafik narkotikësh. Në këto komunikime, oficeri i Antiterrorit dyshohet se i ka kërkuar 15,000 euro Myftius, në këmbim të informacioneve të klasifikuara mbi hetimin.

Në një nga mesazhet, Haxhiaj shkruan:

“Kjo punë ka një kosto… Jemi 3 veta nga 5 mij vlla… Kam burrëri dhe të tregoj gjithçka, por duhet të bashkëpunosh dhe mos lësh me dyshu nga e more vesh”.

Sipas SPAK, shifra “5 mij” dhe “5€” e përdorur në biseda i referohet shumës 5,000 euro, të cilat, shumëzuar me 3 persona, përbëjnë totalin 15 mijë euro që ai pretendonte si pagesë.

“Telefonat i ke në përgjim” – Informacione sekrete në këmbim të parave

Në bisedat e zbardhura, Haxhiaj dyshohet se ka informuar Myftiun për përgjimet aktive ndaj tij dhe të afërmve:

“Ti, nusja, nona jote, Asti, i keni telefonat në përgjim… Nqs do info të tjera bojnë lek”.

SPAK thekson se Haxhiaj i ka vënë në dispozicion të personave të hetuar të dhëna që përbënin sekret hetimor, duke u treguar se ishin nën përgjim telefonik dhe ambientale, duke rrezikuar seriozisht operacionet e policisë.

Komunikime të tjera: “Kam një info dhe e shes, a e do?”

Në dosje përfshihen edhe mesazhe mes Haxhiajt dhe një personi tjetër, të identifikuar si kontakt i përbashkët me Myftiun. Oficeri shkruan:

“Do i them, kam një info dhe e shes, a e do? Po s’e deshi, vk…”.

SPAK vlerëson se kjo tregon qartë motivin financiar të veprimeve, ndërsa në bisedat e mëtejshme Haxhiaj jep edhe detaje konkrete mbi operacionet e vëzhgimit dhe kapjet e mundshme.

Oficeri ishte pjesë e grupit hetimor që e kishte në përgjim Myftiun

Hetimet zbulojnë se Haxhiaj ishte pjesë e grupit të specializuar të përgjimeve dhe vëzhgimeve që nga viti 2019, duke marrë pjesë në:

përgjime telefonike,

përgjime ambientale në automjete,

vëzhgime të fshehta në publik,

instalimin e pajisjeve të përgjimit (p.sh. më 12.03.2022).

Kjo i jepte atij akses të plotë në informacionet që më pas, sipas SPAK, i ka shitur tek personat e hetuar.

SPAK: Informacion i klasifikuar, pjesë e “sekretit hetimor”

Të gjitha materialet që Haxhiaj dyshohet se ka transmetuar janë të kategorizuara si “Sekret hetimor”, sipas nenit 279/1 të Kodit të Procedurës Penale. Prokuroria e Posaçme thekson se dëmet potenciale të rrjedhjes së këtyre të dhënave kanë qenë të konsiderueshme për operacionin ndaj grupit kriminal.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit