Transmetuar më 28-11-2025, 09:20

TIRANË – 28 Nëntor 2025 – Alfred Muharremi, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka ndarë një rrëfim të thellë dhe prekës në “Off the Record” në A2 CNN, ku foli për historinë e braktisjes, jetën në jetimore dhe takimin e parë me babanë biologjik.

Muharremi tregoi se nëna e tij e braktisi për shkak të një keqkuptimi të rëndë, pasi kishte menduar se ishte lënë nga partneri i saj. Ai shpjegoi se i ati ishte larguar në Greqi për të marrë vizë amerikane dhe mungesa e mjeteve të komunikimit bëri që nëna të besonte se ai nuk do të kthehej më. Sipas tij, presioni i opinionit familjar e çoi nënën drejt vendimit për ta lënë fëmijën.

Zyrtari socialist rrëfeu me emocion edhe momentin kur u takua për herë të parë me babain. Ai kujtoi se instinkti i djalit të tij, Arvit, i cili iu afrua menjëherë gjyshit të panjohur, e bindi se kishte përballë të atin. Takimi u pasua nga një periudhë e gjatë prezantimesh me familjarët e babait, të cilën Muharremi e përshkroi si “një fushatë të vërtetë”.

Në intervistën e tij, Muharremi foli edhe për vështirësitë e mëdha të adoleshencës, duke treguar se është përballur me dhunë fizike e psikologjike, diskriminim dhe mosmbështetje nga institucionet. Ai u detyrua të punonte deri në orët e vona për të mbuluar nevojat minimale, ndërsa ndiqte gjimnazin.

Përballjet e vështira, thotë ai, janë kthyer në mësime dhe në forcë.

“Sot përpiqem t’i tregoj shoqërisë se ne që rritemi në kushte të tilla nuk jemi viktima. Ne e meritojmë të kemi të njëjtat kushte dhe mundësi si çdo qytetar tjetër”, u shpreh Muharremi.

Historia e tij mbetet një dëshmi e fuqisë së karakterit dhe e vullnetit për të mos u dorëzuar përballë vështirësive.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit