Transmetuar më 28-11-2025, 07:51

TIRANË – 28 Nëntor 2025 – Shqipëria kremton sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga datat më të rëndësishme në historinë e kombit. Në çdo qytet të vendit janë organizuar aktivitete festive, ndërsa vëmendja qëndron në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor 1912, duke vulosur lindjen e shtetit shqiptar.

Kjo ditë lidhet gjithashtu me një tjetër moment historik: më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane.

Shpallja e Pavarësisë u firmos në Kuvendin e Vlorës nga 40 prej 83 delegatëve pjesëmarrës, të cilët jo vetëm miratuan aktin historik, por formuan edhe qeverinë e parë të pavarur të kryesuar nga Ismail Qemali dhe Këshillin e të Urtëve, të njohur si Pleqësia. Ky vendim i dha kombit shqiptar të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë dhe i pavarur, krahas popujve të tjerë të Evropës.

Në këtë përvjetor, Vlora është epiqendra e festës me ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që nis në orën 10:00, nderimet te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje.

Edhe Tirana është përfshirë në atmosferë festive. Aktivitetet nisin në orën 10:00 me ceremoninë e Nderimit të Flamurit. Pazari i Ri është shndërruar në një hapësirë të gjerë tradicionale ku qytetarët shijojnë gatime shqiptare, performanca folklorike dhe muzikë live.

Në bulevard, pranë instalacionit “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës sjell një performancë të veçantë që synon të krijojë emocione dhe atmosferë festimi. Një koncert për fëmijë zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia pret një sërë aktivitetesh të hapura për publikun, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të madhe festive.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit