Transmetuar më 27-11-2025, 23:07

Prishtinë, 27 nëntor 2025 — Drita e Gjilanit ka triumfuar në Euroderbin shqiptar të Conference League, duke mposhtur Shkëndijën e Tetovës me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Fitorja i jep skuadrës kampione të Kosovës tre pikë të arta dhe e ngjit në zonën që siguron kualifikimin direkt në fazën e 1/8 finaleve.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese pavarësisht motit të ftohtë, me tifozët që krijuan një pamje spektakolare duke kënduar himnin kombëtar dhe këngë të njohura të tribunave shqiptare, një ditë para festave të nëntorit.

Shkëndija rrezikoi e para në minutën e 17 me Spahiun, por tentativa e tij u neutralizua nga portieri Maloku. Vetëm tre minuta më vonë, Drita zhbllokoi rezultatin me Arb Manajn, i cili shfrytëzoi një goditje dënimi për të ndezur entuziazmin e mijëra tifozëve në shkallët e stadiumit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të gjilanasve.

Në fraksionin e dytë, Shkëndija iu afrua golit të barazimit në minutën e 56, kur goditja e Latifit u ndal në traversë. Drita reagoi në të 68 me Ramadanin, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në kuotën e 8 pikëve dhe futet mes vendeve që sigurojnë kualifikimin direkt për në fazën e 1/8 finaleve të Conference League. Ndërkohë, Shkëndija mbetet me 4 pikë dhe rrezikon eliminimin nga kompeticioni, duke zbritur në vendin e 25.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit