

Tiranë, 27 nëntor 2025 — Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi si “asgjë shqetësuese” takimin e zhvilluar në selinë blu me disa prej figurave më të votuara të PD-së.
Në një mesazh dërguar emisionit “Opinion”, Salianji theksoi se ky takim ka marrë vëmendje pikërisht sepse demokratët kërkojnë një analizë të thellë të situatës së brendshme të partisë.
“Takimet i kam bërë dhe i bëj gjithmonë. Në politikë, vota përcakton hierarkinë dhe peshën, dhe asnjë mekanizëm tjetër hileqar nuk të rrit dot,” tha ai. Sipas Salianjit, PD ka nevojë për ripërtëritje, vlerësim të meritës dhe një proces të ndershëm analizash.
Ai nënvizoi se fakti që takimi i individëve më të votuar të PD-së kthehet në lajm tregon “urinë e qytetarëve dhe demokratëve për vlerësim dhe analizë reale të problemeve”.
Salianji shtoi se gjatë ditës kishte zhvilluar edhe një takim në Durrës me drejtues lokalë të partisë. “Edhe tani jam me demokratë,” u shpreh ai, duke theksuar se bashkë me drejtuesit e degës në qytet përfaqësojnë një trupë që ka mbledhur mbi 200 mijë vota për PD-në.
“Ju përshëndes nga Durrësi, me dy kryetarët e fundit të zgjedhur me votë në degën Durrës, dy nënkryetarët, sekretarin dhe sekretarin organizativ,” përfundoi Salianji.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






