Transmetuar më 27-11-2025, 22:20

Tiranë, 27 nëntor 2025 — Kryeministri Edi Rama ka folur për procesin e integrimit europian në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, ku ka bërë disa deklarata të forta mbi rolin e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe debatin e brendshëm për pastrimin e parave.

I pyetur nëse çështja e pastrimit të parave mund të rrezikojë negociatat për anëtarësimin në BE, Rama e quajti “qesharake” zhurmën që është krijuar, duke theksuar se Shqipëria nuk ka përmasa që ta shndërrojnë një fenomen të tillë në problem për Europën. Kryeministri nënvizoi se vendi ka sfida reale në këtë drejtim, por “Shqipëria është një vend shumë i vogël për t’u kthyer në vatër të pastrimit ndërkombëtar të parave”.

Gjatë intervistës, Rama krahasoi filozofinë perëndimore të ndërtimit të shtetit, duke thënë se vetëm Bashkimi Europian ka modelin e duhur për të krijuar institucione të qëndrueshme. Ai shtoi se SHBA-të ndërhyjnë ndryshe në konfliktet ndërkombëtare, duke përdorur forcën dhe më pas diplomacinë.

“Bashkimi Europian është i vetmi burim i përvojës për ndërtimin e shtetit. Po të shohim Afganistanin apo Irakun, ndërhyrjet dështuan sepse nuk kishin perspektivën europiane. Askush tjetër nuk di të ndërtojë institucione. Amerikanët nuk kanë durim për këtë proces; ata e nisin me forcë dhe pastaj vijojnë me mesazhe politike,” tha Rama.

Sa i përket shqetësimeve për krimin ekonomik, Rama përsëriti se problemet ekzistojnë, por nuk janë në shkallë që komprometojnë rrugëtimin europian: “Kemi sfida, por jo në një nivel që të përbëjnë rrezik për kontinentin. Është çmenduri të thuhet e kundërta.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit