Transmetuar më 27-11-2025, 22:09

TIRANË, 27 nëntor — Tensionet brenda Partisë Demokratike u thelluan të enjten, pasi Ilir Alimehmeti reagoi ndaj deklaratave të Gazment Bardhit, i cili kishte tentuar të zhvlerësonte takimin e figurave të zgjedhura të PD-së duke e quajtur “thjesht një kafe”.

Nga studio e Top Story, Alimehmeti tha se problemi nuk qëndron tek takimi mes demokratëve, por tek fakti që drejtuesit e partisë kanë shmangur komunikimin me strukturat e zgjedhura.

“Të them të drejtën, unë statuset në Facebook nuk i komentoj,” u shpreh Alimehmeti. “Po të donte kryesia, më kishte thirrur. Jam anëtar i Këshillit Kombëtar, por s’na ka thirrur.”

Ai theksoi se demokratët flasin me njëri-tjetrin sepse janë lënë jashtë procesit vendimmarrës.

“Nuk ka pasur mundësi për të folur. Lënia mënjanë dhe mungesa e dialogut na çon në situatën ku jemi — një qeveri e kalbur dhe një opozitë që nuk afron dot njerëzit,” tha Alimehmeti.

Sipas tij, përgjegjësia bie mbi drejtuesit e PD-së, të cilët, sipas tij, nuk kanë thirrur asnjë nga anëtarët e zgjedhur me votë, duke larguar bazën dhe duke krijuar distancë brenda partisë.

“Privilegjet dhe përgjegjësitë janë lart. Numrat tanë i kanë, ne përgjigjemi gjithmonë,” tha ai. “Pse u desh që të mblidhnim këtë tryezë? Kjo pyetje u takon atyre. Ata nuk e kanë bërë detyrën dhe i kanë larguar njerëzit. Ne thjesht vazhdojmë punën për të kuptuar situatën dhe problemet.”

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur PD vijon të përballet me përçarje të thella dhe mungesë kohezioni, në një kohë kur opozita kërkon të rikthejë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit