Transmetuar më 27-11-2025, 19:41

Tiranë, 27 nëntor 2025 – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që padia e paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, lidhur me dekretimin e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale “Diella”, të shqyrtohet në seancë plenare.

Opozita argumenton se dekreti i Presidentit për krijimin dhe funksionimin e një ministrie të re virtuale është antikushtetues, pasi Kushtetuta nuk parashikon ngritjen e institucioneve të këtij lloji përmes dekretit presidencial. Sipas PD-së, çdo strukturë e rangut ministror mund të krijohet vetëm me vendim të Kuvendit.

Në argumentet e saj, PD thekson se, pavarësisht karakterit inovativ të projektit “Diella”, mënyra e miratimit të tij përbën tejkalim të kompetencave nga ana e Presidentit të Republikës dhe cenon rendin institucional të përcaktuar në Kushtetutë.

Demokratët kërkojnë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të garantuar zbatimin e parimeve kushtetuese dhe për të ndalur, siç pretendojnë ata, tendencën e mazhorancës për përqendrim pushteti dhe për dobësim të funksionimit normal të institucioneve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit