Transmetuar më 27-11-2025, 14:29

SHKODËR- Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Erzen (Hamza) Ukën dhe Julian Cumrakun, të cilët akuzohen për veprimtari me elementë terrorizmi. Seanca u zhvillua në orën 13:00, ku trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe t’i mbajë të dy të ndaluarit në qeli.

Dy të dyshuarit u kapën dy ditë më parë pas një operacioni të ndërlikuar të Policisë së Shtetit dhe forcave RENEA. Ata u gjetën të fshehur në një banesë në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit, ku dyshohet të kenë qëndruar për rreth dy muaj. Pas 12 orësh negociata dhe thirrjesh nga familjarët, të dy u dorëzuan pa bërë rezistencë.

Gjatë kontrollit në banesën ku fshiheshin, policia zbuloi një arsenal të madh armësh, që përfshinte katër automatikë, një pistoletë, 18 granata, shtatë karikatorë të mbushur me fishekë si edhe afërsisht 2 mijë municione të ndryshme.

Ngjarja nisi pasi patrullat e policisë konstatuan një person të dyshimtë që, sapo pa efektivët, u fut me shpejtësi në një banesë të braktisur dhe refuzoi të dorëzohej, duke i kërcënuar. Situata e rrezikshme solli ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të specializuara RENEA, të cilat finalizuan arrestimin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit