Transmetuar më 27-11-2025, 11:36

KOSOVE – Sot (e enjte) është në program për t’u zhvilluar ndeshja e dy klubeve shqiptare, Dritës dhe Shkëndijës në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

Gjilanasit janë pritës të tetovarëve në ndeshjen e xhiros së katërt, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.

Ekipi Drita i Zekirija Ramadanit është në një formë të mirë në kampionat, por e ka nisur mirë edhe në Ligën e Konferencës, pasi ka dy barazime dhe një fitore nga tri ndeshjet e para.

Trajneri i skuadrës nga Gjilani, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe duke theksuar se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e Dritës në arenën ndërkombëtare.

“Kemi presion. Luajmë para tifozëve tonë. Është ndeshja më e vështirë që e kemi pasur në arenën ndërkombëtare. Patjetër që besoj te ekipi, është mirë që i gjithë grupi është në dispozicion, përveç Mesas, që do të mungojë edhe një kohë të gjatë”. Gjithsesi te Drita deklarohen se ndaj Shkëndijës: “Jemi të motivuar dhe të gatshëm për fitore”.

Në formë të mirë është edhe ekipi i Shkëndijës së Jeton Beqirit, pasi kuqezinjtë kanë një barazim dhe një fitore në dy ndeshjet e fundit në Ligën e Konferencës, kështu që duan rezultat edhe nga ky udhëtim i vështirë.

Përtej aspektit sportiv, kjo ndeshje do të jetë interesante edhe për faktin se vjen një ditë para festës së flamurit, 28 Nëntorit, dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë nga të gjitha trojet shqiptare, përveç dy qyteteve si Gjilani dhe Tetova.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit