Transmetuar më 27-11-2025, 09:07

Gjel deti me salcë boronice: receta që e bën edhe Ditën e Falënderimeve – Thanksgiving një festë të vërtetë

Dita e Falënderimeve (Thanksgiving Day) është një festë që për dekada me radhë e kemi parë në filmat dhe serialet tona të preferuara.

Megjithatë, vitet e fundit ajo nuk festohet më vetëm në Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada), por në mbarë botën, ku gjithnjë e më shumë njerëz gjejnë arsye për të shijuar ushqimet e shijshme dhe ëmbëlsirat karakteristike që e shoqërojnë këtë ditë.

Çfarë festohet konkretisht

Dita e Falënderimeve është një festë tradicionale vjetore, që në thelb shënon fillimin e një periudhe të gjatë festive, e cila përfundon me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Në Kanada festohet çdo të hënë të dytë të tetorit, ndërsa në SHBA çdo të enjte të katërt të nëntorit. Data amerikane është ajo që është përhapur dhe festohet edhe në vende të tjera të botës.

Në këtë ditë, falënderimet i drejtohen Zotit për të mirat që çdo familje ka marrë përmes korrjes vjetore. Ndonëse festa e ka origjinën në fillim të shekullit XVII, kur shumica e njerëzve merreshin me bujqësi dhe blegtori, sot ajo është një mundësi ideale që e gjithë familja të mblidhet rreth një tryeze plot me ushqime të shijshme shtëpie.

Në versionin modern të festës, secili anëtar i familjes flet hapur për arsyet pse ndihet mirënjohës, më pas të gjithë luten së bashku. Po ashtu, çdo vit në këtë ditë, Presidenti i SHBA-së “fal” simbolikisht një gjel deti, në një ceremoni që transmetohet drejtpërdrejt në mediat amerikane dhe ndërkombëtare.

Kështu, gjeli i detit është protagonisti absolut i tryezave të Falënderimeve. Më poshtë po ju japim një recetë tradicionale për ta përgatitur, të shoqëruar me një salcë boronice që i shkon në mënyrë perfekte.

Gjel deti i mbushur

Për 6–8 persona

Përbërësit

1 gjel deti (rreth 3 kg)

2 patate të mëdha, të prera trashë

1 patate e ëmbël e madhe, e prerë trashë

2 karota të mëdha, të prera trashë

2 qepë të thata, të qëruara dhe të grira imët

2 thelpinj hudhre, të qëruar dhe të grirë

1 mollë, e qëruar dhe e grirë

1 filxhan boronica të thata

1 filxhan verë e kuqe

500 ml lëng pule ose perimesh

4 lugë gjelle gjalpë (në temperaturë ambienti)

Kripë

Piper i zi i bluar fllad

2 degë rozmarine, vetëm gjethet

Përgatitja

Ngrohni furrën në 180°C me ajër. Në një tas përzieni qepët, hudhrën, mollën, boronicat, arrat e grira dhe gjalpin. Shtoni kripë e piper dhe përzieni mirë derisa gjalpi të bashkohet me përbërësit. Mbushni zgavrën e gjelit të detit me këtë masë dhe vendoseni në një tavë të madhe. Rreth e rrotull hidhni perimet dhe shtoni verën dhe lëngun.

Me një furçë lyeni pjesën e jashtme të gjelit me gjalpin e mbetur, kriposeni dhe piperoseni. Spërkateni me rozmarinë, mbulojeni me letër furre dhe letër alumini. Piqeni për rreth 2 orë e gjysmë, më pas hiqni mbulesat dhe vazhdoni pjekjen edhe për 30 minuta, derisa gjeli dhe perimet të marrin ngjyrë të artë. Lëreni të pushojë 30 minuta, më pas priteni dhe shërbejeni.

Salcë boronice (Cranberry sauce)

Për 400 g

Përbërësit

300 g boronica (të freskëta ose të ngrira)

150 g sheqer i bardhë ose kaf, kristal

1 filxhan lëng molle ose portokalli

Lëkura e grirë e 1 portokalli

Pak kripë

1 shkop kanelle

½ lugë çaji xhenxhefil i freskët, i grirë

1 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja

Vendosni të gjithë përbërësit (përveç lëngut të limonit) në një tenxhere mesatare dhe ngrohini në zjarr mesatar, duke përzier derisa të shkrijë sheqeri. Lërini të ziejnë për rreth 10 minuta, derisa salca të trashet. Hiqeni nga zjarri, shtoni lëngun e limonit dhe përzieni. Shërbejeni së bashku me gjelin e detit. /noa.al

Foto: Unsplash

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit