Transmetuar më 26-11-2025, 22:30

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, deklaruan se pjesëtarët e Gardës janë shtruar në spital në gjendje kritike pas të shtënave të pasdites së së mërkurës. Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, u tërhoq nga deklarata e tij e bërë të mërkurën, në të cilën njoftonte se trupat kishin ndërruar jetë, duke thënë se kishte marrë “raportime kontradiktore” për gjendjen e tyre

Uashington, 26 nëntor 2025 – Dy ushtarë të Gardës Kombëtare të SHBA-së u qëlluan në një sulm me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë, në një nga zonat më të mbrojtura të kryeqytetit amerikan. Njësitë e emergjencës dhe policia u vendosën menjëherë në terren, ndërsa autoritetet konfirmuan se një i dyshuar është arrestuar.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, deklaruan se pjesëtarët e Gardës janë shtruar në spital në gjendje kritike pas të shtënave të pasdites së së mërkurës. Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, u tërhoq nga deklarata e tij e bërë të mërkurën, në të cilën njoftonte se trupat kishin ndërruar jetë, duke thënë se kishte marrë “raportime kontradiktore” për gjendjen e tyre.

Policia Metropolitane e Washington D.C. njoftoi në platformën “X” se “zona është e siguruar” dhe se personi i dyshuar për të shtënat është vënë në pranga. Hetimet për identifikimin e motivit vijojnë intensivisht.

Në momentin e ngjarjes, Presidenti amerikan Donald Trump ndodhej në fushën e tij të golfit në West Palm Beach, Florida. Ai reagoi pak më vonë në rrjetin social Truth, duke e quajtur sulmin një akt të rëndë dhe duke paralajmëruar një përgjigje të fortë:

“Personi që qëlloi dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të cilët janë në gjendje kritike, është gjithashtu rëndë i plagosur, por pavarësisht kësaj, do të paguajë një çmim shumë të lartë! Zoti bekoftë Gardën tonë Kombëtare, si dhe të gjitha Forcat e Armatosura dhe ato policore!”

**Çfarë është Garda Kombëtare?**

Garda Kombëtare është një forcë ushtarake rezervë e shpërndarë në të 50 shtetet amerikanë, si dhe në Washington D.C., Guam dhe Puerto Rico. Njësitë e saj shërbejnë si një strukturë mbështetëse në raste katastrofash natyrore, ruajtje të rendit dhe operacione sigurie, ndërsa disa trupa mund të dërgohen edhe jashtë vendit.

Edhe pse raportojnë te Departamenti i Mbrojtjes, aktivizimi i Gardës Kombëtare zakonisht bëhet nga guvernatorët e shteteve, ndërsa presidenti mund t’i federalizojë në raste të veçanta. Kompetencat e tyre janë të kufizuara dhe ata nuk kanë të njëjtat të drejta arrestimi si policia lokale.

Në muajt e fundit, Garda Kombëtare ishte vendosur në Washington D.C. si pjesë e operacionit për goditjen e kriminalitetit të shpallur nga Presidenti Trump.

Hetimet për incidentin e rëndë vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të mëtejshme mbi motivet ose të dhënat e autorit të dyshuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit