Transmetuar më 26-11-2025, 22:17

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, deklaruan se pjesëtarët e Gardës janë shtruar në spital në gjendje kritike pas të shtënave të pasdites së së mërkurës. Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, u tërhoq nga deklarata e tij e bërë të mërkurën, në të cilën njoftonte se trupat kishin ndërruar jetë, duke thënë se kishte marrë “raportime kontradiktore” për gjendjen e tyre

Uashington, 26 nëntor 2025 – Dy anëtarë të Gardës Kombëtare të SHBA-së u plagosën nga të shtënat me armë zjarri vetëm një bllok larg Shtëpisë së Bardhë. Policia amerikane njoftoi se një i dyshuar është arrestuar dhe aktualisht po merret në pyetje lidhur me rrethanat e incidentit.

Sipas autoriteteve dhe mediave lokale, dy pjesëtarët e gardës reaguan duke hapur zjarr ndaj agresorit, para se të goditeshin. Ende nuk është e qartë nëse ata ishin objektivi i sulmit apo nëse ndërhynë për të ndaluar një shkëmbim zjarri që po ndodhte në zonë.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, deklaruan se pjesëtarët e Gardës janë shtruar në spital në gjendje kritike pas të shtënave të pasdites së së mërkurës. Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, u tërhoq nga deklarata e tij e bërë të mërkurën, në të cilën njoftonte se trupat kishin ndërruar jetë, duke thënë se kishte marrë “raportime kontradiktore” për gjendjen e tyre.

Ngjarja u regjistrua në kryqëzimin e Rrugës së 17-të me Rrugën H NW, një nga zonat më të njohura të kryeqytetit amerikan dhe shumë pranë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Donald Trump reagoi në rrjetin social Truth, duke shprehur mbështetje për Gardën Kombëtare dhe forcat e sigurisë.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti është informuar në kohë reale dhe se po monitoron situatën nga afër. Për arsye sigurie, një pjesë e operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar Ronald Reagan u pezullua përkohësisht dhe fluturimet në nisje u ndaluan.

Zona e ngjarjes është rrethuar me perimetër sigurie, ndërsa disa automjete të emergjencës dhe ekipet hetimore vijojnë punën për sqarimin e motivit të sulmit. Autoritetet ende nuk kanë publikuar detaje shtesë, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit