

Tiranë, 26 Nëntor 2025
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme të merret në pyetje për ngjarjen e 21 janarit, duke deklaruar se disponon dëshmi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të asaj dite.
I pyetur për deklaratat e Metës, lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se është e mundur që ish-aleati i tij, aktualisht në paraburgim, të ketë informacion të rëndësishëm, pasi deri pak ditë para 21 janarit mbante postin e zëvendëskryeministrit.
“Ilir Meta më 14 ose 15 janar ka ardhur në zyrën time dhe më ka thënë se do të japë dorëheqjen, sepse në Prokurori nuk shkon si zëvendëskryeministër,” deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së foli edhe për një bisedë të zhvilluar me Dritan Priftin pak kohë para publikimit të videos së përgjimit mes këtij të fundit dhe Metës, në zyrën e Ministrisë së Energjetikës.
“Dritan Prifti më kishte kërkuar ta emëroja në një detyrë tjetër të rëndësishme, ndryshe — thoshte ai — ekziston një regjistrim. Unë i kam thënë: nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës time. Nxirre. Kjo është e vërteta. Askush nuk më merr peng,” u shpreh Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






