Transmetuar më 26-11-2025, 07:46

Shqipëria renditet e dyta në Europë për nivelin më të lartë të humbjes së popullsisë nga emigracioni që prej vitit 1990, sipas raportit të Tranzicionit 2025–26 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), “Një botë e vjetër, por më e guximshme”. Raporti ngre alarmin për pasojat afatgjata që ky boshllëk demografik po shkakton mbi zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave të BERZH, Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së vitit 1990 vetëm përmes emigracionit neto në periudhën 1990–2023. Ky është niveli i dytë më i lartë në Europë, pas Kosovës, e cila ka humbur rreth 50% të popullsisë së saj. Ndërkohë, shtesa natyrore në Shqipëri ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të viteve dhe ka kompensuar rreth 27% të popullsisë së 1990-s, duke zbutur disi ndikimin, por pa e neutralizuar dot humbjen masive nga largimet.

BERZH paralajmëron se ky fenomen po shndërrohet në një pengesë serioze për ekonominë. Në grafikun e dytë të raportit matet për herë të parë ndikimi i demografisë në rritjen e PBB-së për frymë. Për Shqipërinë, kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë periudhës 2000–2023, duke i hequr ekonomisë rreth –0.2 pikë përqindje rritje çdo vit.

Për periudhën 2024–2050, situata pritet të përkeqësohet më tej, me ndikim negativ të vlerësuar në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit. BERZH thekson se Shqipëria është ndër ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin, ndërsa edhe në horizontin 2050–2100 efekti mbetet negativ, duke sinjalizuar se plakja e popullsisë dhe tkurrja e forcës së punës do të vazhdojnë të rëndojnë rritjen ekonomike.

Reduktimi i fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po krijojnë presion të pandërprerë mbi ekonominë. BERZH paralajmëron se, pa një rritje të ndjeshme të produktivitetit, pa investime teknologjike dhe politika që frenojnë humbjen e kapitalit njerëzor, vendet që përjetojnë emigrim masiv – ku Shqipëria dhe Kosova janë në krye – rrezikojnë të humbin potencialin e tyre afatgjatë të rritjes.

Raporti thekson se pasojat tashmë janë të dukshme në tregun e punës, investime, produktivitet dhe stabilitet fiskal. Edhe nëse ritmi i rritjes ekonomike mbetet pozitiv, potenciali i saj afatgjatë do të jetë dukshëm më i ulët krahasuar me vendet që po përjetojnë rritje të popullsisë, si Turqia, Egjipti apo ekonomitë e Azisë Qendrore.

BERZH sugjeron se pa përmirësim të klimës së biznesit, modernizim të ekonomisë dhe rritje të kapitalit njerëzor, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën tre dekadat e ardhshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit