

TIRANË – Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka paraqitur kërkesa të rëndësishme lidhur me projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, gjatë dëgjesës për paketën fiskale në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Përfaqësuesi i NAREA, Reinaldo Pipiria u shpreh se afati i parashikuar për zbatimin e procesit është i pamjaftueshëm dhe propozoi uljen e tatimit të reduktuar nga 5% në 3% për banesat e individëve.
Sipas Pipirias, vetëm nga viti 2011 janë rreth 250 mijë pasuri të paluajtshme që kërkojnë rivlerësim, ndërsa censusi tregon se afro 500 mijë banesa kanë nevojë për këtë proces. Kapacitetet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), që arrijnë në 30–33 mijë aplikime në vit, e bëjnë të pamundur mbylljen e procesit brenda 12 muajve të parashikuar. Për më tepër, një pjesë e madhe e aplikuesve janë nga diaspora, çka kërkon një periudhë më të gjatë.
NAREA kritikoi faktin që në projektligj individët trajtohen në të njëjtin nivel me entitetet komerciale. Sipas shoqatës, bizneset përfitojnë nga fakti që tatimi prej 5% llogaritet si shpenzim i zbritshëm, ndërsa individët duhet ta paguajnë menjëherë, gjë që mund të sjellë bllokim të pronave të tyre. Për këtë arsye, shoqata propozon uljen e tatimit në 3% për banesat.
Shoqata ngriti shqetësimin se në draftin e parë ishin përfshirë edhe pronat në proces legalizimi – rreth 1.2 milion – por neni është hequr në versionin final. NAREA kërkon rikthimin e tyre dhe shprehet e gatshme të ngrejë një grup pune që në janar për të harmonizuar legjislacionin me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ku banesat e përdorura mbi 50% për qëllime jetese përjashtohen nga tatimi mbi fitimin kapital.
Projektligji parashikon një normë të reduktuar tatimi prej 5%, nga 15% që aplikohet aktualisht, dhe një afat zbatimi nga 1 janar deri më 31 dhjetor 2026. Në relacionin shoqërues nënvizohet se rishikimi i çmimeve referuese të banesave, sidomos në Tiranë, si dhe propozimi për çmime të reja për zonat e tjera, për t’i afruar me vlerat reale të tregut, është një ndër arsyet kryesore të projektligjit.
Përvoja e viteve të mëparshme – me mbi 254 mijë aplikime për rivlerësim nga viti 2011 deri në 2022, dhe 23.5 miliardë lekë tatim të paguar – tregon një interes të lartë të qytetarëve për të përfituar nga kjo skemë, duke rritur ndjeshëm edhe numrin e transaksioneve të regjistruara pranë ASHK-së.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






