Transmetuar më 25-11-2025, 20:07

Tiranë- Qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO-së, duke argumentuar se largimi nga detyra i zëvendëskryemimistres Belinda Balluku cenon funksionimin e institucioneve dhe projektet strategjike të vendit

Këshilli i Ministrave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 21 nëntor, duke kërkuar pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO).

GJKKO ka pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Qeveria argumenton se masa e marrë nga GJKKO cenon kompetencat e tre institucioneve kushtetuese: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

Në kërkesën e firmosur nga kryeministri Edi Rama, qeveria kërkon pezullimin vetëm të pjesës së vendimit që lidhet me largimin nga detyra të Ballukut, duke pretenduar se ky akt prek interesa të lartë shtetërorë dhe shoqërorë.

Sipas argumentimit të Këshillit të Ministrave, pezullimi i Ballukut krijon një “vakuum institucional”, duke penguar funksionimin e ministrisë që ajo drejton.

Në dokument theksohet se kjo situatë “pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për t’u miratuar deri në fund të vitit 2027”.

Qeveria shprehet se një anëtar i Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat të drejta si një deputet dhe, për këtë arsye, nuk mund të pezullohet nga detyra përmes një vendimi gjyqësor pa respektuar këto garanci kushtetuese.

Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e Belinda Ballukut nga të gjitha funksionet ekzekutive dhe i ndaloi asaj daljen jashtë vendit, pasi ajo është e pandehur në hetimin për tenderin e tunelit të Llogorasë dhe nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e qeverisë, e cila synon rivendosjen në detyrë të Ballukut deri në një vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e masës së marrë nga GJKKO.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit