

Operacioni “OROSHI” në Pukë përfundon pas 12 orësh: dy persona dorëzohen, zbulohen materiale të ndaluara në banesë
Pukë — Forcat e Policisë së Shtetit kanë finalizuar operacionin e koduar “OROSHI”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit dhe Forcat Speciale Renea, raporton noa.al
Operacioni nisi dje më 24.11.2025, në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, pasi një person i dyshuar u fut me shpejtësi në një banesë të braktisur sapo pa patrullën e Policisë. Pavarësisht thirrjeve zyrtare, personi refuzoi të dilte dhe kërcënoi efektivët.
Duke qenë se i dyshuari njihej më parë për rrezikshmëri, banesa u rrethua dhe u kërkua mbështetja e forcave të specializuara. Në momentin kur Renea i bëri thirrje për t’u dorëzuar, nga brenda banesës u hap zjarr në drejtim të trupave speciale.
Pas 12 orësh rrethim dhe negociatash të vazhdueshme me të afërmit, dy personat brenda banesës u vetëdorëzuan. Njëri prej tyre kishte një plagë tejshpuese në këmbë dhe u dërgua në Spitalin Rajonal Shkodër.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan:
4 armë zjarri automatike
1 pistoletë
17 granata dore difensive
municion luftarak
kapsolla detonatore elektrike
fitil zjarrpërcjellës për aktivizim lëndësh plasëse
një flamur dhe material propagandistik i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS)
si dhe dy gëzhoja në vendngjarje
Në pranga u vunë:
Erzen (Hamza) Uka, 35 vjeç, i dënuar më parë për “Nxitje të urrejtjes dhe grindjeve”.
Julian Cumraku, 34 vjeç, me dënime për “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Prokuroria e Shkodrës i ka marrë materialet për hetime të mëtejshme, për veprat penale që lidhen me:
propagandë dhe nxitje për qëllime terroriste
prodhim armësh luftarake
kundërshtim të Policisë
mbajtje dhe prodhim të mjeteve shpërthyese dhe municioneve. /noa.al
Komunikata e plotë:
Pukë/Finalizohet operacioni policor i koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit me mbështetjen e Forcave Speciale Renea
Kërcënuan me jetë punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Pukë, u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të Policisë së Repartit Special Renea duke u rrezikuar jetën, pas 12 orësh në rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe pas negociatave me të afërmit e tyre, vetëdorëzohen dy shtetas që u mbyllën në banesë.
Sekuestrohen 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.
Vihen në pranga të dy shtetasit që kundërshtuan Policinë me armë.
Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë.
Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale Renea, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër.
Në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje personit të dalë nga banesa, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea.
Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale Renea u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.
Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi E. U. kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Erzen (Hamza) Uka, 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.
Julian Cumraku, 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






