

Tiranë, 25 nëntor 2025 – Shqipëria renditet ndër vendet më pesimiste në kontinent për blerjen ose ndërtimin e një banese në 12 muajt e ardhshëm, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2025.
Indeksi i besimit të konsumatorëve për këtë kategori arriti në -82.8 pikë, një vlerë që tregon se pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare – rreth 80 deri në 85 për qind më shumë sesa ata që janë optimistë – nuk e shohin të mundur marrjen e një banese në një afat të shkurtër.
Indeksi i balancës së Eurostat llogaritet si diferencë midis përqindjes së të anketuarve që presin të blejnë ose ndërtojnë një shtëpi dhe atyre që nuk e konsiderojnë këtë hap. Të gjitha vendet e Europës kanë shënuar vlera negative, çka dëshmon tendencën e përgjithshme të hezitimit për investime në pasuri të paluajtshme.
Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian (-77.9) dhe të vendeve të eurozonës (-79.0), Shqipëria paraqitet më pesimiste, duke pasqyruar vështirësitë ekonomike dhe çmimet e larta të tregut, veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare, ku kërkesa e investitorëve vendas dhe të huaj ka çuar çmimet përtej mundësive të shtresës së mesme.
Në rajon, niveli i besimit të konsumatorëve shqiptarë është i ngjashëm me Belgjikën (-82.1) dhe Bullgarinë (-78.3), por më i lartë se në Itali (-88.9) dhe Serbi (-98.7). Ndërkohë, vende si Mali i Zi (-72.6) dhe Kroacia (-72.5) raportojnë pritshmëri më pozitive, të ndikuara nga stabiliteti i sektorit të turizmit dhe investimet e huaja.
Gjermania (-69.3) dhe Danimarka (-68.3) renditen ndër vendet me nivelin më të lartë të besimit, pasqyrë e ekonomive më të qëndrueshme dhe mundësive më të favorshme të financimit.
Ekspertët theksojnë se rënia e besimit në gjithë Europën lidhet me normat e larta të interesit, të cilat kanë mbetur të shtrënguara gjatë 2025-ës pas politikave të Bankës Qendrore Europiane për frenimin e inflacionit. Këto kushte financiare, të kombinuara me pasiguritë ekonomike, kanë ulur gatishmërinë e qytetarëve për investime madhore si blerja e një banese.
Për Shqipërinë, vlera –82.8 nënvizon hendekun e rritur midis të ardhurave familjare dhe çmimeve të tregut, duke e bërë pronësinë një synim gjithnjë e më të vështirë për shumë qytetarë. Tregu i pasurive të paluajtshme vijon të dominohet nga blerjet për investim, ndërsa nevoja reale për strehim shtyhet gjithnjë e më shumë në plan të dytë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






