Transmetuar më 24-11-2025, 23:02

Sezoni mjaft i mirë i Vllaznisë deri në këto momente, ku ndan vendin e parë me Elbasanin në Kategorinë Superiore, duket të jetë tronditur nga lajmi i kësaj të hëne.

FIFA ka publikuar vendimin për klubin shkodran, duke i shtangur këta të fundit pasi njofton humbjen e gjyqit që kanë pasur me një nga lojtarët që nuk është më në ekip. Top Channel mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për futbollistin kroat Marko Juriç, i cili ka qenë lojtar i shkodranëve që nga sezoni i vitit 2022 deri në prag të fillimit të këtij viti.

Diskutimet financiare në ndarjen e palëve me sa duket kanë qenë pretendimi i lojtarit kroat, i cili e ka çuar këtë çështje deri në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA. Me sa duket, qeveria e futbollit botëror ka vendosur t’i japë drejtë lojtarit duke penalizuar klubin shkodran.

Renditja/ Vendi i parë ndahet mes Vllaznisë dhe Elbasanit, Partizani largohet nga play out-i, si paraqitet situata pas javës së 12-të

Sipas vendimit të FIFA-s, shkodranëve u është bllokuar merkatoja për 3 sesionet e ardhshme. Ky penalizim ndalon drejtuesit e skuadrës së Vllaznisë të bëjnë lëvizje lojtarësh dhe regjistrimin e të rinjve deri në arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e detyrimit ndaj lojtarit.

I pyetur nga Top Channel, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, siguron: “Është një gjyq që kemi humbur me lojtarin Marko Juriç dhe shumë shpejt kemi filluar të marrim masat për zgjidhjen e ngërçit, për të pasur në muajin janar merkaton e zhbllokuar për ndonjë lëvizje të mundshme“.

Sa i përket sezonit aktual, “kuqeblutë” po bëjnë mjaft mirë. Pas 12 javëve kampionat, Vllaznia ndan vendin e parë me Elbasanin, ku të dy ekipet kanë nga 24 pikë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit