Transmetuar më 24-11-2025, 19:55

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se pas rikthimit nga Samiti i Internacionales Demokrate të Qendrës në Sao Paulo të Brazilit, opozita shqiptare gëzon sot më shumë mbështetje ndërkombëtare se kurrë. Duke folur në protestën para Kryeministrisë, ai theksoi se zgjedhja e tij në postin e zëvendëspresidentit të kësaj organizate globale përfaqëson një nderim që i atribuohet sakrificave dhe qëndresës së demokratëve shqiptarë.

“Një përshëndetje shumë të përzemërt ju, të dashur demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë që jeni sot këtu të pranishëm në këtë foltore. Një përshëndetje të përzemërt të gjithë opozitarëve kudo që janë, të gjithë shqiptarëve të cilët me zemër dhe shpirt dënojnë pa rezerva këtë qeveri, e cila do të shkruhet në muret e kohërave si qeveria më antishqiptare, më hajdute që ka njohur ndonjëherë kombi shqiptar.

Unë u sjell këtu përshëndetjet më të përzemërta nga udhëheqja e Internacionales Demokrate të Qendrës, përfaqësues të 115 partive të qendrës së djathtë në të katër kontinentet. Vij sot nga Brazili, nga Sao Paulo, për t’ju garantuar se kemi miq më shumë se kurrë. Se ju, demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë shqiptarë, në betejën ndaj të keqes që përballemi, nuk jeni vetëm, por keni mbështetje të madhe dhe të fuqishme nga njerëzit e lirë, nga ata që duan lirinë dhe të vërtetën në mbarë botën.

Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ju. Ai nderim që më bëri Internacionalja Demokrate e Qendrës, duke më zgjedhur në postin e lartë të zëvendëspresidentit, është nderim për sakrificat tuaja, për qëndresën tuaj, për guximin tuaj dhe për mbrojtjen që u keni bërë vlerave të lirisë, demokracisë, familjes dhe të vlerave të përbashkëta të njerëzve të lirë në botë,” u shpreh Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit