

Prishtinë, 24 nëntor 2025 – Kryeqyteti i Kosovës është përballur sot me një situatë të rënduar, pasi transporti publik mbeti i pezulluar dhe dhjetëra punonjës të kompanive transportuese dolën në protestë para Komunës së Prishtinës. Transportuesit privatë dhe punonjësit e Trafikut Urban kërkuan zgjidhje urgjente për problemet financiare që kanë çuar në ndërprerjen e shërbimit.
Vendimi për pezullimin e të gjitha linjave të autobusëve erdhi si pasojë e mospagesës së detyrimeve financiare nga Komuna e Prishtinës, çka ka shkaktuar bllokim operativ për operatorët privatë dhe publikë të transportit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, doli në përkrahje të punonjësve, duke deklaruar se situata është pasojë e bllokimit të buxhetit nga nivelit qendror. Ai akuzoi qeverinë se po mban peng fondet që, sipas tij, janë të gatshme për t’u lëshuar, por nuk janë proceduar për obligimet financiare ndaj transportuesve.
“Punëtorët kanë kryer detyrën e tyre me përkushtim, ndërsa fondet që i kemi të parapara nuk po na lëshohen. Kjo bllokadë po godet drejtpërdrejt qytetarët dhe shërbimet bazë”, u shpreh Rama gjatë protestës.
Punonjësit kërkojnë pagesat e prapambetura dhe rikthimin e menjëhershëm të funksionimit normal të transportit publik. Ndërkohë, operatorët theksojnë se shërbimet do të rikthehen vetëm pasi të zgjidhet çështja e financimit nga institucionet përgjegjëse.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






