

Kosovë, 24 nëntor 2025 – Rreth 300 kilogramë lëndë plasëse janë sekuestruar në pikën kufitare të Vërmicës, në një operacion të koordinuar mes Doganës së Kosovës dhe policisë kufitare. Sasia e madhe e eksplozivit u gjet në një furgon që ishte nisur nga Shqipëria drejt territorit të Kosovës.
Sipas autoriteteve doganore, drejtuesi i mjetit kishte deklaruar fillimisht se nuk transportonte asnjë mall për t’u paraqitur. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, hetuesit zbuluan thasë të mbushur me lëndë plasëse, të fshehura në bagazh dhe të maskuara me pajisje peshkimi për të shmangur dyshimet.
Institucionet njoftuan se ndaj të dyshuarit është hapur një procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur origjinën dhe destinacionin final të materialit eksploziv.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kontrabandës dhe çdo aktiviteti të paligjshëm që rrezikon sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






