

Berlin, 23 nëntor 2025 – Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar ashpër ndaj një plani të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili synon përdorimin e fondeve ruse të ngrira në territorin e Bashkimit Evropian për rindërtimin e Ukrainës. Kreu i qeverisë gjermane e cilësoi këtë nismë “të papranueshme”, duke u shprehur se SHBA nuk duhet të ketë qasje mbi asetet e sekuestruara në Evropë.
Në një intervistë për transmetuesin publik ARD, Merz kundërshtoi prerë idenë e kanalizimit të rreth 100 miliardë dollarëve të aktiveve ruse në Ukrainë nën administrim amerikan, si dhe propozimin që BE të shtojë një tjetër paketë prej 100 miliardë dollarësh për rindërtimin e vendit në luftë. Sipas tij, një skemë e tillë nuk mund të realizohet pa miratimin e vendeve evropiane.
“Kjo është e papranueshme,” deklaroi Merz, duke theksuar se çdo përdorim i aseteve të ngrira duhet të trajtohet si kredi e siguruar nga Bashkimi Evropian, jo si fond ku palë të treta mund të marrin përfitime ose kontroll politik.
Ai sqaroi se nëse kreditë jepen, ato do të garantohen nga BE dhe do t’i jepen Ukrainës si kolateral për vazhdimësinë e blerjes së armëve, pa përfshirje direkte të SHBA-së në menaxhimin e fondeve. “Sigurisht që amerikanët nuk mund të kenë qasje në këtë shumë. Kërkesa për të shtuar edhe 100 miliardë të tjera nga Evropa është e papranueshme,” shtoi kancelari.
Merz megjithatë shprehu shpresën se samiti në Gjenevë do të sjellë përparim në përputhje me propozimet evropiane dhe se pikat më të diskutueshme të planit amerikan do të riformulohen në një mënyrë të pranueshme për të gjitha palët. Ai nënvizoi se përmbajtja e planit të tij alternativ do të mbetet konfidenciale gjatë zhvillimit të negociatave.
Kancelari gjerman kritikoi gjithashtu mungesën e peshës së Evropës në këtë proces, duke fajësuar vetë kontinentin për reagimin e vonuar në mbështetje të Ukrainës. “Ne bëmë shumë pak, shumë vonë. Duhej të kishim bërë më shumë dhe më shpejt,” tha Merz.
Ai paralajmëroi se Rusia po intensifikon sulmet hibride kundër Evropës, duke përfshirë sulme kibernetike, sabotime dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta në infrastrukturë. “Çdo ditë shohim sulme hibride nga Rusia – në rrjetet tona të të dhënave, në infrastrukturën tonë. Rasti i fundit në Poloni, ku u synua një lidhje strategjike hekurudhore, tregon qartë shenjën e përfshirjes ruse,” përfundoi kancelari gjerman.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






